Sot që në orët e para të mëngjesit, rreth orës 6:30, vargu i bjeshkatarëve të Klubi Bjeshkatar Tetova pushtoi atarin e fshatit Vicë, me misionin për të shënuar dhe sistemuar shtegun drejt një prej destinacioneve që deri më tani kishte qëndruar disi në hije — Ujëvara e Vicës, apo siç e quajnë vendasit “uji që stërpajkën”.

🔨 Me vete kishim kazma, shat, sharra e mjete pune — dhe shumë entuziazëm. Nga pika e fundit e fshatit ecëm rreth 3.5 km, duke pastruar dhe shënuar rrugën, me humor, barcoleta e gaz, ku doktorit tanimë duket se po ia zë vendin gjenerata e re, me Timin që s’e lë pas në “specializimin” e tij për barcoleta mjekësore. 😄

Pjesa e fundit e shtegut kërkonte më shumë energji – aty duhej të hapnim qasje të reja drejt vet ujëvarës, e cila, edhe pse madhështore, fshihej turpshëm pas lisave të gjatë që i zinin pamjen.

🌊 “Punët e mira kërkojnë sakrificë” – dhe kështu ndodhi që njëri nga bjeshkatarët të përfundonte në ujin e ftohtë (fatmirësisht të cekët), duke u bërë pjesë e legjendës së ditës. Pak më lart, kuzhinieri i klubit, Mislimi, na priste me ushqimin në zgare, që pas gjithë atij mundi u “zhduk” brenda pak minutash.

💧 Gjatë kthimit, evidentuam disa burime natyrore të ujit, të cilat i regjistruam menjëherë në aplikacionin e ri digjital “GurraSharr”, produkt inovativ i klubit që dokumenton burimet e ujit në Malin Sharr, ndërsa markacisti i klubit, njëherit edhe kryetari i klubit, Bujari, vazhdon me zell t’i përfundojë detyrat e fundit të shenjëzimit të shtegut.

🎁 Në fund, na priti një befasi e këndshme në fshat — një banor i Vicës na kishte përgatitur drekën tradicionale: fli, bakërdar, djath e kos për rreth 20 pjesëmarrës.

Me falënderime për bujarinë e maleve, u kthyem drejt shtëpive tona, me shpirtin plot natyrë dhe obligimin qytetar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

🟢 Deri në avanturën e radhës – mirëmbetemi me shpresë që rrëfimi i ardhshëm do të jetë edhe më i veçantë.