Të tunduar nga njoftimi i nikoqirit, ShB “Tetova”, për organizimin e ngjarjes “Ecje dimërore në Luginën dhe Ujvarat e Leshnicës”, vendosëm që t’i bashkohemi këtij organizimi, ashtu si miqtë tanë bjeshkatarë nga ShBA “Kastrioti” i Ferizajit të Kosovës. Vendtakimi ishte caktuar tek ish-stacioni i teleferikut, që dikur lidhte Tetovën me Kodrën e Diellit, me anë të gondolave modeste, por që ishin mjaft solide për atë periudhë, e që ndaloi të funksionojë që nga koha e konfliktit të armatosur të vitin 2001. Për fat të keq të bjeshkatarëve dhe turistëve, tashmë për 22 vite, ky aset i rëndësishëm i Tetovës mbeti vetëm një relikë e pavlerë. E si për ironi të fatit, pjesa dërrmuese e bjeshkatarëve e shfrytëzojnë pikërisht këtë lokacion si pikë-takim për ngjitjet e fundjavave. Thuaja se duam t’ia rikujtojmë vetes se si dikur mund të shmangim tërësisht përdorimin e veturave, ndërsa sot vetëm mund ta vrojtojmë nga jashtë rrethojave me nostalgji dhe keqardhje për vetveten.

Konsolidimi i grupit

Për pak minuta grupi fillon të konsolidohet. Një furistradë parkohet afër nesh, e shfaqet “Treshi”, ashtu siç njihen tash e shumë vjet, grupi i tre shokëve dhe bjeshkatarëve të pandarë, doktor Rexhepi, laureati i çmimit Xhambazov (çmimi më i lartë që ndan Federata e Bjeshkatarisë së RVM-së), kryetari Sejdiu dhe arkëtari Naseri. Pas tyre si në varg afrohen grupi i sekretarit, Bujarit, i shoqëruar nga Florenti, Agimi dhe Rufati dhe të tjerët me radhë. Një fytyrë e re ua zgjon kureshtjen anëtarëve të shoqatës, a ai është Besari që po merr pamje filmik me kamerën e tij, që nga pamja duket mjaft profesionale. Ai ju bashkëngjit grupit me entuziazëm, duke shpresuar që në Leshnicë do të mundet të shkrep pamje të veçanta ashtu siç ja përshkruajnë Leshnicën shokët për rreth.
Në anën tjetër Qenani, na njofton se për fat të keq mysafirët nga Kosova nuk do të mund të na bashkëngjiten, për arsye teknike, ashtu siç e njofton udhëheqësi i “Kastriotëve”.

Fillimi i rrugëtimit nga rrëza e Sharrit drejt Malësisë së Tetovës

Pas përshëndetjeve të zakonshme mes anëtarëve dhe me gjithë keqardhjen për mungesën e mysafirëve, grupi niset me 5 vetura drejt Malësisë së Tetovës, me dëshirë për të arritur në fshatin e fundit të kësaj ane të Malësisë, fshatin Bozovcë. Rruga është e gjatë afër 22 kilometra dhe na merr rreth 50 minuta për të arritur në destinacionin tonë final. Me të arritur në fshat, parkojmë veturat, si dhe përshëndesim banorët, që si çdo herë janë mjaft mikpritës.

Drejt Mbretëreshës së Sharrit

Pasi përfundojmë me veshjen e këpucëve të thella, mbrojtëseve të borës dhe rregullimin e shtagave, grupohemi afër shkollës fillore të fshatit. Udhëheqësi i grupit na njofton se shtegu është i gjatë rreth 18-19 kilometër në të dy drejtimet dhe se ngjitjen do ta bëjmë nga shtegu i epërm ndërsa kthimin nga shtegu i poshtëm. Udhërrëfyes i këtij udhëtimi është Musliu, i lindur në Bozovcë, por i shpërngulur në Tetovë para shumë viteve, por që me kënaqësi na prin drejt këtij margaritari të vendlindjes së tij. Në fillim të shtegut, tek Rudina siç e quajnë vendasit, shkrepim foton e parë të grupit dhe vazhdojmë ecjen. Pushimin e parë e bëjmë tek një pikë mjaft mirë e rregulluar, me ulëse për të pushuar, çezëm dhe një kasolle e vogël strehimi, që mund të na shërbejmë në rast të reshjeve të shiut. Udhërrëfyesi na njofton se pushimi i radhës do të jetë tek Gajrinat. Rrugës për në Gajrina na shfaqet një përrua i fuqishëm dhe kryeneç, që ndërpret rrugën mu në mes, nga prurjet e shumta të ujit, si për të na treguar se nga këtu e tutje fillon zona ku mbizotëron natyra e egër dhe jo njeriu. Banorët e zonës kanë ndërtuar një urë druri, që e bën një miks natyral për foto-sesion me përroin dhe që padyshim ua lehtëson lëvizjen turistëve të shumtë.

Ndalesa e dytë vjen në Gajrina të Poshtme dhe kjo është një nga pikat më pitoreske të kësaj ane. Në të djathtën tonë na shfaqet një liqen i vogël, që ja shton hijeshinë edhe më tepër kësaj kodrine. Nga e majta, me krenari shpon qiellin Maja e Ortegut (Pllati i Epërm), e poshtë saj në pyll, duket Liqeni që krijohet vetëm gjatë dimrit dhe në pranverë, nga shkrirja e borës. Në radhë vjen Guri i Mesëm (ose Kepi i Nërmjem siç e quajnë vendasit) që qëndron si gardian i Luginës së Leshnicës dhe pas tij Kepi i Tretë (Kepi i Përtijm). Duke vazhduar në anën e djathtë renditen: Maja e Brodit, Babahasanajca, Gjuri i Lodrës, e pak më poshtë saj vjen Gjuri i Çamë (i çarë), e poshtë tij vjen toponimi që quhet Vorri i Shehit (Varri i Shehut) dhe Gajrinat e Epërme.
Pas pushimit të shkurtër në Gajrina të Poshtme, ecjen e vazhdojmë në drejtim të Leshnicës. Sapo na shfaqen pishat e larta, e kuptojmë se po hyjmë në territorin e Luginës së Leshnicës. Me të zbritur poshtë në Luginë rrugën na e pret lumi i vrullshëm i Leshnicës, si për të na qortuar se si dikur e braktisëm, pa mbrojtje, atëherë kur hidromafia mori leje për ta përvetësuar këtë margaritar. E megjithatë, falë shpalljes së Malit Sharr si Park Nacional, ky vendim u shfuqizua dhe gypat e çeliktë mbeten si një dëshmi e një turpi që malësorët e Sharrit e gëlltitën në heshtje atëbotë, pa tentuar t’i dalin zot kësaj zone, që njihet si zona më e bukur e masivit të Sharrit.
Lumin e kalojmë në një urë druri, të ndërtuar nga fshatarët dhe njerëz të vullnetit të mirë, me shumë finesë, e në harmoni me ambientin përreth. Sapo kalojmë në anën tjetër, pas një ecje të shkurtër përskaj lumit, përpara na shfaqet një tabelë druri që na njofton se jemi në Parkun Nacional të Malit Sharr, të shoqëruar nga një hartë orientuese. Pas saj kalojmë edhe një pjesë të lumit mbi gypin e ujësjellësit të Tetovës që shërben si urë e improvizuar dhe arrijmë tek pishat e famshme të Leshnicës. Ky vend është mjaft i preferuar për kamping nga turistët e huaj dhe vendasit, meqë pamja është mjaft e bukur dhe relaksuese, ka ujë të pijshëm në formë çezmeje  në afërsi (edhe pse lumi është vet i pijshëm) si dhe gjatë verës pishat shërbejnë si mburojë nga dielli i fortë. Pas pishave vijnë vilat e ish zyrtarëve komunist që dikur e shijonin të vetëm këtë margaritar të Sharrit dhe zona ishte rreptësisht e ndaluar për të tjerët. Udhëheqësi i grupit na njofton se këtu do të ndalemi për pauzën e radhës, dhe disa bjeshkatarë po mbledhin drunjë të thatë që gjenden përreth, ndërsa një grup tjetër po tenton ta ndez zjarrin. Kjo pauzë u shfrytëzua edhe për të ngrënë drekën modeste që gjithsecili kishte marrë me vete, por që me shumë dashamirësi e ndajnë me të tjerët, si dhe u shfrytëzua për çlodhje nën shoqërimin e barcoletave të doktor Rexhepit.

Ecjen e vazhdojmë drejt Ujvarës së Leshnicës, ku pas një shtegu të shkurtër në pyjet e dendura të Leshnicës para nesh shfaqen shkallët e drurit që shpijnë drejt një guri që i ngjan shpellës. Në brendësi të saj fshihet një nga kryeveprat e kësaj  ane, Ujvara e Leshnicës. Edhe pse ujvara nuk ka lartësi të madhe, forma karakteristike e saj, rrjedha e shpejtë dhe e ftohtë e ujit që i ka gdhendur gurët në formë mjaft interesante, e bën këtë ujvarë mjaft unike dhe atraktive për turistët,. Dikush pyet me shumë kureshtje “Ku shkon bre i gjithë ky ujë i kristaltë” ? dhe Bujari i përgjigjet në formën më të mirë të mundshme duke u përkulur, mbush duart me ujë dhe duke pirë me ëndje, “Eheee, ky burim furnizon thuaja se krejt Tetovën me ujë”.

Kthimin e bëjmë nga shtegu i poshtëm, i tëri në mes pyjesh, dhe që për shkak të terrenit është edhe më i përshtatshëm për zbritje. Këtu profesor Nasufi gjen rastin të na shpjegojë për një nga drunjtë më karakteristik të kësaj zone, e që fatkeqësisht është edhe një nga llojet e rrezikuara, Tajsi apo Tisa siç njihet nga banorët e zonës, ose Taxus baccata në latinisht. Karakteristikë kryesore e këtij lloji të drurit është se shumë vështirë pritet, por edhe më vështirë kalbet, gjë që e bën të përshtatshme të përdoret në gardhet e shtëpive të zonës, për shkak të qëndrueshmërisë.

Me të arritur në katund pushojmë për së fundi herë në kafene dhe kthehemi në pikënisjen tonë, nga ku vazhdojmë rrugën për në qytetin e Tetovës duke lënë prapa Bozovcën dhe Luginën e Leshnicës, këtë margaritar të Sharrit që në çdo stinë ripërtërihet dhe bëhet edhe më e bukur.

Photo: Tajsi or Tisa ( lat: Taxus baccata )