Më 19 dhjetor, në Europe House Tetovë, u mbajt eventi përmbyllës i projektit trevjeçar rajonal “Sustainable Use of Natural Resources in the Shar, Korab–Koritnik and Albanian Alps”, i zbatuar nga CNVP dhe i mbështetur financiarisht nga PONT.
Eventi u hap me fjalë përshëndetëse nga z. Nehat Ramadani, Drejtor i CNVP Maqedonia e Veriut, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, mbrojtjes së burimeve natyrore dhe rolit kyç të komuniteteve lokale në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Gjatë mbrëmjes u prezantuan rezultatet kryesore të projektit përmes videove dhe historive të suksesit, si dhe u ndanë certifikata mirënjohjeje për partnerët dhe bashkëpunëtorët që kanë kontribuar në zbatimin e suksesshëm të tij.
Në këtë event morën pjesë përfaqësues të institucioneve, organizata të shoqërisë civile, klube bjeshkatarësh – përfshirë Klubin Bjeshkatar Tetova – si dhe aktorë të tjerë që punojnë për ruajtjen dhe promovimin e Malit Sharr si një pasuri natyrore me vlerë të jashtëzakonshme.
Mbrëmja u përmbyll në një atmosferë pozitive rrjetëzimi dhe bashkëpunimi, duke reflektuar partneritete që po krijojnë ndikim afatgjatë për mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.









