Parajsa e Sharrit, Lisec | Dhjetor 2025

Ashtu siç i ka hije bjeshkatarëve, Klubi Bjeshkatar Tetova mbrëmjen e fundvitit e organizoi në një ambient malor, në zemër të Sharrit, në Parajsën e Lisecit. Mes pritjes së borës, natyrës së qetë dhe atmosferës miqësore, u mblodhëm për të reflektuar mbi një vit të pasur me aktivitete, sfida dhe arritje.

Mbrëmja shërbeu si një moment i veçantë për të evokuar ecjet, ngjitjet dhe përvojat që kanë shënuar vitin 2025, duke forcuar edhe më tej lidhjen mes anëtarëve të klubit.

Një vit i mbushur me aktivitete dhe krenari

Gjatë vitit 2025, Klubi Bjeshkatar Tetova realizoi një sërë aktivitetesh të rëndësishme, ndër të cilat veçohen:

  • Ngjitja në majën e Trigllav, një nga majat më të larta dhe simbolike të Ballkanit
  • Ndërtimi dhe mirëmbajtja e rutës së Ujëvarës së Vicës
  • Krijimi i webfaqes zyrtare të klubit dhe aplikacionit për shënimin e burimeve ujore GurraSharr
  • Organizimi i trajnimeve në shkollat e mesme për nxitjen e bjeshkatarisë te brezat e rinj
  • Vizita në qytetin e Manastirit dhe ngjitja në Mali Pelister në kushte të acarta, për nder të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe
  • Realizimi i mbi 30 ecjeve dhe aktiviteteve të tjera malore, secila me përvoja dhe kujtime të veçanta

Miqësi dhe bashkëpunim

Mbrëmja u pasurua edhe nga prania e miqve tanë të përhershëm nga Shoqata Bjeshkatare Kaçaniku, të cilët na nderuan me pjesëmarrjen e tyre, me raportet vëllazërore dhe me një dhuratë simbolike që do të mbetet kujtim i qëndrueshëm i kësaj miqësie.

Drejt vitit 2026

Me mbi 60 pjesëmarrës, mbrëmja u përmbyll në një atmosferë pozitive, plot emocione dhe energji. Me mirënjohje për vitin që lamë pas dhe me plane të qarta për të ardhmen, anëtarët e klubit u zotuan se në vitin 2026 do të ngjiten edhe më lart, do të bashkëpunojnë më shumë dhe do të vazhdojnë të ndërtojnë jo vetëm kujtime, por trashëgimi bjeshkatare dhe natyrore.